“Bëje Zot ëndërr”, vazhdon
Edhe sa Kushtrim-a do të duhet të fyhen, burgosen dhe vriten e në fund të shpallen kriminel, ndërsa ata që për momentin, mbajnë në dorë fatin tonë, të vazhdojnë të luten: “Bëje Zot ëndërr”
Arben ZEQIRI
Rreth dy javë më parë u bëra objekt akuzash pasi e kisha “ekzagjeruar” situatën, sipas disa ekspertëve, politikanëve e intelektualëve, si dhe qenkam frikësuar, sipas disa lexuesve, që pas 10 vitesh u ishte kujtuar të lexojnë vetëm titujt e shkrimeve në shtypin ditor. “Bëre Zot ëndërr ha, ju hyri frika”, ishte ky reagimi i disa lexuesve që kishin lexuar titullin e gazetës dhe emrin tim, dhe kjo kishte mjaftuar për të pasur material të bollshëm që atë ditë të ketë çfarë të flitet në kafenenë e mëhallës dhe rrugëve të çarshisë. Po këtyre s’ua zë shumë për të madhe, sepse fundja nuk kanë në dorë fatin e askujt, si bëjnë dëm askujt përveç vetes, që vazhdojnë të mbeten të pa informuar, dhe më së shumti që mund të bëjnë dëm, është të provokojnë nervat e mia. Edhe kjo është kaluese, por ç’të bëjmë me ata që mbajnë në duart e tyre fatin e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoni dhe janë mirë të informuar e vazhdojnë të provokojnë jo nervat, por jetërat e qindra mijëra qytetarëve, e ndoshta edhe të dy milonëve në Maqedoni. I rikujtova se lutjet e tyre në asnjë moment nuk i pranoi Zoti dhe na dolën ashtu siç u frikësuam më së shumti se mund të ndodh. Morëm veto për në NATO, dështoi Marrëveshja e Ohrit, rrezikuam dhe vazhdojmë të rrezikojmë datën për fillimin e bisedimeve dhe vendin e sollëm në një situatë që të lutemi “Bëje Zot ëndërr luftën”. Deri kur udhëheqësit politik dhe të zgjedhurit e popullit do të vazhdojnë të luten dhe të mos besojnë se në çfarë derexhe e kanë sjellë vendin. A thua ishin pak shtatë të burgosur në Kosovë, katër të vrarë në Radushë dhe katër të burgosur në Novo Sellë të Tetovës. A do të vazhdojnë që edhe pas kësaj situate të luten “Bëje Zot ëndërr”? Edhe sa vrasje, arrestime, bastisje dhe incidente do të na duhen që të fillojmë e të besojmë se jemi në prag të luftës dhe se numrit 4, të viktimave, mund ti shtohen edhe zero të tjera pas. Në vitin 2001 mbaj mend që si udhëheqësit shtetëror ashtu edhe politikanët shqiptarë, menjëherë pas vrasjes së policit kufitar në Tanushë, thonin se ky ishte vetëm një incident me banda trafikantësh. Në muajin mars, përderisa në Tetovë protestohej, nga Kalaja vinin të shtëna nga të gjitha anët dhe krerët e policisë e ushtrisë vazhdonin të deklarojnë se po konfrontohen me një grup “trafikant armësh” dhe “kriminel”, e që më vonë na doli se paska qenë një ushtri e cila kaloi edhe në Kumanovë, Shkup dhe gjithë zonën e Karadakut. Edhe këtu luftohej me javë të tëra dhe udhëheqësit shtetëror vazhdonin me retorikën e tyre se çdo gjë është nën kontroll dhe tani vetëm se fjalën “trafikant armësh” e kishin zëvendësuar me “terrorist”. E këta “trafikant armësh”, e këta “terrorist”, siç i quante pushteti i atëhershëm, arritën dhe u bënë politikanë dhe udhëheqës institucionesh. U bënë liberalë dhe institucionalistë më të mëdhenj, patriotët më të dalluar të këtij shteti dhe i dhanë vetes të drejtë që gjithkënd që e “rrezikon” këtë shtet, ta quajnë trafikant armësh.
Vetëm disa ditë pas shkrimit tim me titull “Bëje Zot ëndërr”, bilanci i një aksioni mister të policisë, rezultoi me katër të vrarë, e vetëm dy ditë më vonë filluan bastisjet dhe arrestimet në Novosellë, Sfillarë dhe Zonën e Dervenit. Edhe pas gjithë këtyre rasteve, politikanët dhe udhëheqësit shtetëror vazhdojnë të luten “Bëje Zot ëndërr”, dhe sikur të mos kishin qenë të kënaqur me vrasjet, ju desh që edhe ti fyejnë kufomat e viktimave të kësaj politike duke i quajtur “kriminel” dhe “trafikantë armësh”. Dikush do të mbrohet se nuk e ka thënë me gojën e tij këtë fjalë, por kurrë s’do të më bind se heshtja nuk është pohim. Ata që nuk besojnë se në çfarë derexhe e kanë sjellë vendin dhe vazhdojnë ti luten Zotit që ta bëjë gjithë këtë ëndërr, e që autorët e Komunikatës së UÇK-së i quajtën “trafikant armësh”, me këtë emër nuk nguruan ti etiketojnë as edhe katër të vrarët në Radushë, në mesin e të cilëve edhe njërin nga komandantët e parë të UÇK-së së vitit 2001, Harun Aliu–Kushtrimin. E di që do t’më thonë se përsëri po i ekzagjeroj gjërat dhe nuk i kuptokam mirë, po le t’ma thonë ata më të “diturit” e popullit, se kur për herë të fundit Harun Aliu ka bartur armë? Në vitin 2001 për luftën që e filloi, bashkë me këta që sot ulen kolltukëve të Parlamentit dhe Qeverisë, e për Harunin nuk ditën të bëjnë vend në asnjë nga institucionet e vendit, vetëm për faktin se nuk dinte të thotë “amin” as ndaj Cërvenkovskit e as ndaj Gruevskit? Mos vallë u dashka që të gjithë ti vrasim dhe ti hipim nëpër furgona me nga 6 thasë eksploziv edhe këta ish “trafikant të armëve” të vitit 2001? Po pas kësaj periudhe, kur herën tjetër Kushtrimi kishte trafikuar armë, kur kishte terrorizuar dikën dhe cila është vepra e tij penale e fundit. A do del një burrë dhe të ma publikojë dosjen e Harun Aliut dhe të shohim veprat e tij “kriminale”, apo ndoshta do të del biografia e tij dhe kontributi i dhënë për këta “shqiptarë” që sot marrin të drejtë që në shenjë falënderimi ta shpallin edhe kriminel. Edhe sa Kushtrim-a do të duhet të fyhen, burgosen dhe vriten e në fund të shpallen kriminel, ndërsa ata që për momentin, mbajnë në dorë fatin tonë, të vazhdojnë të luten: “Bëje Zot ëndërr”.