Mësuesit e klasave të ulëta mësimin e gjuhës maqedonase që nga gjysmë vjetori i dytë e vlerësojnë si absurd pasi që nxënësit e kanë të vështirë të mësojnë tre gjuhë në të njëjtën kohë. “Nxënësit janë shumë të vegjël dhe ende nuk dinë mirë të flasin shqip, është ngarkesë e madhe për ta që të mësohet gjuha maqedonase që nga klasa e parë”, tha mësuesja Arifmenie Sinani nga shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”. Ajo shtoi se fëmijët e kësaj moshe e kanë vështirë të adaptohen në shkollë pasi që deri në atë moshë kanë luajtur me lodra, dhe me futjen e gjuhës maqedonase në programin mësimor ata frikësohen dhe është e mundur që të dështojnë. Këtë vendim të cilin e morri Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk kundërshtohet vetëm nga mësuesit, prindërit dhe nxënësit por ankohen edhe organizatat joqeveritare, me ç’rast u organizua peticion kundër mësimit të maqedonishtes. Shoqata për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtarë “Illyricum Libertas”, ka filluar të premten grumbullimin e nënshkrimeve, kundër mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë. Aksioni ka filluar në tre pika edhe atë para Qendrës për Kulturë në Tetovë dhe në dy universitetet, USHT dhe UEJL, ndërsa do të vazhdojë edhe javën e ardhshme. “Kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve, ka shumë qytetarë që janë të interesuar për të shprehur revoltën ndaj këtij vendimi të qeverisë. Intensivisht do të fillojmë nga e hëna kur prindërit dhe qytetarët do të mund të japin nënshkrimin kundër këtij vendimi të çuditshëm dhe absurd të qeverisë së Maqedonisë”, tha Valon Kurtishi, kryetar i Iliricum Libertas. Nëse numri i këtyre nënshkrimeve do të jetë i madh dhe i mjaftueshëm, atëherë Kurtishi tha se këto nënshkrime do ti dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për abrogimin e vendimit të Qeverisë për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë të klasës së parë. Një aksion i ngjashëm i grumbullimit të nënshkrimeve realizohet edhe në Shkup nga Shoqata “Realiteti”, ndërsa e gjithë kjo, sipas organizatorëve, është në përkrahje të iniciativës së prindërve të shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar si “shprehje e revoltës ndaj imponimit të maqedonishtes”.
Të gjithë kundër maqedonishtes!
November 18, 2009 at 14:49 (Uncategorized)