“Bëje Zot ëndërr”, vazhdon

Bëje Zot ëndërr”, vazhdon

Edhe sa Kushtrim-a do të duhet të fyhen, burgosen dhe vriten e në fund të shpallen kriminel, ndërsa ata që për momentin, mbajnë në dorë fatin tonë, të vazhdojnë të luten: “Bëje Zot ëndërr”

Arben ZEQIRI

Rreth dy javë më parë u bëra objekt akuzash pasi e kisha “ekzagjeruar” situatën, sipas disa ekspertëve, politikanëve e intelektualëve, si dhe qenkam frikësuar, sipas disa lexuesve, që pas 10 vitesh u ishte kujtuar të lexojnë vetëm titujt e shkrimeve në shtypin ditor. “Bëre Zot ëndërr ha, ju hyri frika”, ishte ky reagimi i disa lexuesve që kishin lexuar titullin e gazetës dhe emrin tim, dhe kjo kishte mjaftuar për të pasur material të bollshëm që atë ditë të ketë çfarë të flitet në kafenenë e mëhallës dhe rrugëve të çarshisë. Po këtyre s’ua zë shumë për të madhe, sepse fundja nuk kanë në dorë fatin e askujt, si bëjnë dëm askujt përveç vetes, që vazhdojnë të mbeten të pa informuar, dhe më së shumti që mund të bëjnë dëm, është të provokojnë nervat e mia. Edhe kjo është kaluese, por ç’të bëjmë me ata që mbajnë në duart e tyre fatin e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoni dhe janë mirë të informuar e vazhdojnë të provokojnë jo nervat, por jetërat e qindra mijëra qytetarëve, e ndoshta edhe të dy milonëve në Maqedoni. I rikujtova se lutjet e tyre në asnjë moment nuk i pranoi Zoti dhe na dolën ashtu siç u frikësuam më së shumti se mund të ndodh. Morëm veto për në NATO, dështoi Marrëveshja e Ohrit, rrezikuam dhe vazhdojmë të rrezikojmë datën për fillimin e bisedimeve dhe vendin e sollëm në një situatë që të lutemi “Bëje Zot ëndërr luftën”. Deri kur udhëheqësit politik dhe të zgjedhurit e popullit do të vazhdojnë të luten dhe të mos besojnë se në çfarë derexhe e kanë sjellë vendin. A thua ishin pak shtatë të burgosur në Kosovë, katër të vrarë në Radushë dhe katër të burgosur në Novo Sellë të Tetovës. A do të vazhdojnë që edhe pas kësaj situate të luten “Bëje Zot ëndërr”? Edhe sa vrasje, arrestime, bastisje dhe incidente do të na duhen që të fillojmë e të besojmë se jemi në prag të luftës dhe se numrit 4, të viktimave, mund ti shtohen edhe zero të tjera pas. Në vitin 2001 mbaj mend që si udhëheqësit shtetëror ashtu edhe politikanët shqiptarë, menjëherë pas vrasjes së policit kufitar në Tanushë, thonin se ky ishte vetëm një incident me banda trafikantësh. Në muajin mars, përderisa në Tetovë protestohej, nga Kalaja vinin të shtëna nga të gjitha anët dhe krerët e policisë e ushtrisë vazhdonin të deklarojnë se po konfrontohen me një grup “trafikant armësh” dhe “kriminel”, e që më vonë na doli se paska qenë një ushtri e cila kaloi edhe në Kumanovë, Shkup dhe gjithë zonën e Karadakut. Edhe këtu luftohej me javë të tëra dhe udhëheqësit shtetëror vazhdonin me retorikën e tyre se çdo gjë është nën kontroll dhe tani vetëm se fjalën “trafikant armësh” e kishin zëvendësuar me “terrorist”. E këta “trafikant armësh”, e këta “terrorist”, siç i quante pushteti i atëhershëm, arritën dhe u bënë politikanë dhe udhëheqës institucionesh. U bënë liberalë dhe institucionalistë më të mëdhenj, patriotët më të dalluar të këtij shteti dhe i dhanë vetes të drejtë që gjithkënd që e “rrezikon” këtë shtet, ta quajnë trafikant armësh.

Vetëm disa ditë pas shkrimit tim me titull “Bëje Zot ëndërr”, bilanci i një aksioni mister të policisë, rezultoi me katër të vrarë, e vetëm dy ditë më vonë filluan bastisjet dhe arrestimet në Novosellë, Sfillarë dhe Zonën e Dervenit. Edhe pas gjithë këtyre rasteve, politikanët dhe udhëheqësit shtetëror vazhdojnë të luten “Bëje Zot ëndërr”, dhe sikur të mos kishin qenë të kënaqur me vrasjet, ju desh që edhe ti fyejnë kufomat e viktimave të kësaj politike duke i quajtur “kriminel” dhe “trafikantë armësh”. Dikush do të mbrohet se nuk e ka thënë me gojën e tij këtë fjalë, por kurrë s’do të më bind se heshtja nuk është pohim. Ata që nuk besojnë se në çfarë derexhe e kanë sjellë vendin dhe vazhdojnë ti luten Zotit që ta bëjë gjithë këtë ëndërr, e që autorët e Komunikatës së UÇK-së i quajtën “trafikant armësh”, me këtë emër nuk nguruan ti etiketojnë as edhe katër të vrarët në Radushë, në mesin e të cilëve edhe njërin nga komandantët e parë të UÇK-së së vitit 2001, Harun Aliu–Kushtrimin. E di që do t’më thonë se përsëri po i ekzagjeroj gjërat dhe nuk i kuptokam mirë, po le t’ma thonë ata më të “diturit” e popullit, se kur për herë të fundit Harun Aliu ka bartur armë? Në vitin 2001 për luftën që e filloi, bashkë me këta që sot ulen kolltukëve të Parlamentit dhe Qeverisë, e për Harunin nuk ditën të bëjnë vend në asnjë nga institucionet e vendit, vetëm për faktin se nuk dinte të thotë “amin” as ndaj Cërvenkovskit e as ndaj Gruevskit? Mos vallë u dashka që të gjithë ti vrasim dhe ti hipim nëpër furgona me nga 6 thasë eksploziv edhe këta ish “trafikant të armëve” të vitit 2001? Po pas kësaj periudhe, kur herën tjetër Kushtrimi kishte trafikuar armë, kur kishte terrorizuar dikën dhe cila është vepra e tij penale e fundit. A do del një burrë dhe të ma publikojë dosjen e Harun Aliut dhe të shohim veprat e tij “kriminale”, apo ndoshta do të del biografia e tij dhe kontributi i dhënë për këta “shqiptarë” që sot marrin të drejtë që në shenjë falënderimi ta shpallin edhe kriminel. Edhe sa Kushtrim-a do të duhet të fyhen, burgosen dhe vriten e në fund të shpallen kriminel, ndërsa ata që për momentin, mbajnë në dorë fatin tonë, të vazhdojnë të luten: “Bëje Zot ëndërr”.

Bushi: S’ka shanse të largohem nga BDI

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Nazif Bushi, përgënjestroi zërat se mund ta braktisë partinë. Ai, thotë se nuk ekziston asnjë lloj shansi që ai të largohet nga BDI-ja, e lëre më të kalojë tek partia Demokracia e Re (DR). “Aspak nuk është e vërtetë, nuk ka shanse që të kalojë në atë parti. Unë jam një nga themeluesit e BDI-së dhe as që vjen parasysh që të largohem nga kjo parti”, tha Bushi.

Kongresi i DR-së pret përçarjet në BDI

Edhe Demokracia e Re do të mbajë kongresit e saj të parë që nga themelimi, por burime brenda DR-së dhe BDI-së, flasin për “Lajm” për një “prolongim taktit” që kjo parti bën, me qëllim që të presw përfundimin e kongresit të BDI-së prej ku ka zëra se anëtarë të kësaj partie mund ti bashkangjiten partisë së Selmanit, pas shkarkimit të tyre nga funksionet e deritanishme në BDI. Sipas burimeve brenda partisë së Ahmetit, tanimë ka pakënaqësi në pjesën më të madhe të degëve të kësaj partie si në Tetovë, Shkup, Gostivar dhe Kumanovë. “Tetuta Arii dhe Rafiz Haliti për një kohë të gjatë kanë kundërshtime me ministrant nga rdhët tona. Ata nuk pranojnë të shkarkohen nga posti i nënkryetarit dhe nëse ndodh kjo ata do të kalojnë në Demokracinë e Re ku mesa kemi informata për Tetuta Arifin tanimë është ofruar edhe posti i nënkryetares në DR”, thonë për Lajm burime të besueshme. Sipas të njejtave burime, pakënaqësi ka edhe në degën e Gostivarit ku tanimë një kohë të gjatë në konflikt janë Adnan Jashari dhe Nevzat Bejta për atë se cili do të mer udhëheqjen e degës së Gostivarit. Situatë e njejtë mbretëron edhe në Shkup ku sipas këtyre burimeve, pritet kalimi i Nazif Bushit në DR, ndërsa dega e Butelit, tanimë një kohë të gjatë është në konflikt me Ermira Memetin. “Nuk e di sa e keni vërrejt që kohëve të fundit, Ermira nuk ka dhënë në opinion asnjë qëndrim të partisë, ju ik deklaratave dhe nuk flet më në emër të parties”, thonë të njejtat burime. Një situatë më e rëndë mbizotëron në degën e Likovës ku veprojnë dy fraksione, një e udhëhequr nga kryetari aktual i komunës, Sadulla Duraku, ndërsa fraksioni i dytë i udhëhequr nga Beqir Sadiku, kryetar aktual i degës së BDI-së në Likovë. Nëse ky i fundit shkarkohet nga ky post dhe në krye të degës vihet Duraku, burime brenda BDI-së thonë që Saqipi do të kalojë në DR ku tanimë i është ofruar një pozicion i ngjajshëm. Nga Demokracia e Re, as nuk pohojnë e as nuk mohojnë se janë në bisedime me ndonjë anëtarë të BDI-së për kalim në rradhët e tyre, por ata vlerësojnë se këto sinjale vijnë si pasojë e pakënaqësisë së disa individëve me punën e qeverisë. “Ne si Demokraci e Re sigurisht që në bazë të prgramit, platformës dhe statusit i mirëpresim të gjithë ata që e pranojnë platformën e DR-së. Ne jemi në fazën e zgjërimit, në fazën e ngritjes dhe sigurisht se secili që i bashkangjitet DR-së ka obligimet e njejta me ata që kanë qenë më herët në këtë strukturë”, tha Sulejman Rushti, kandidat potencial për nënkryetar i DR-së.

 

Shpati: S’dal nga partia që e themelova

“Këto janë dezinformata, me personalitetin tim nuk dua të luajnë. Unë jam i përcaktur aty ku jam, unë jam një nga themeluesit e BDI-së dhe me të vërtetë fyhem kur dëgjoj kësi lloj dezinformatash. Fërkime ka por s’ka përçarje në BDI. Të gjitha ato fërmike bëhen për të pasur një punë më të frytshme të degës”, tha për “Lajm” Hajrulla Misini.

 

Të gjithë kundër maqedonishtes!

Mësuesit e klasave të ulëta mësimin e gjuhës maqedonase që nga gjysmë vjetori i dytë e vlerësojnë si absurd pasi që nxënësit e kanë të vështirë të mësojnë tre gjuhë në të njëjtën kohë. “Nxënësit janë shumë të vegjël dhe ende nuk dinë mirë të flasin shqip, është ngarkesë e madhe për ta që të mësohet gjuha maqedonase që nga klasa e parë”, tha mësuesja Arifmenie Sinani nga shkolla fillore “Kongresi i Manastirit”. Ajo shtoi se fëmijët e kësaj moshe e kanë vështirë të adaptohen në shkollë pasi që deri në atë moshë kanë luajtur me lodra, dhe me futjen e gjuhës maqedonase në programin mësimor ata frikësohen dhe është e mundur që të dështojnë. Këtë vendim të cilin e morri Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk kundërshtohet vetëm nga mësuesit, prindërit dhe nxënësit por ankohen edhe organizatat joqeveritare, me ç’rast u organizua peticion kundër mësimit të maqedonishtes. Shoqata për mbrojtjen dhe afirmimin e identitetit kombëtarë “Illyricum Libertas”, ka filluar të premten grumbullimin e nënshkrimeve, kundër mësimit të gjuhës maqedonase nga klasa e parë. Aksioni ka filluar në tre pika edhe atë para Qendrës për Kulturë në Tetovë dhe në dy universitetet, USHT dhe UEJL, ndërsa do të vazhdojë edhe javën e ardhshme. “Kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve, ka shumë qytetarë që janë të interesuar për të shprehur revoltën ndaj këtij vendimi të qeverisë. Intensivisht do të fillojmë nga e hëna kur prindërit dhe qytetarët do të mund të japin nënshkrimin kundër këtij vendimi të çuditshëm dhe absurd të qeverisë së Maqedonisë”, tha Valon Kurtishi, kryetar i Iliricum Libertas. Nëse numri i këtyre nënshkrimeve do të jetë i madh dhe i mjaftueshëm, atëherë Kurtishi tha se këto nënshkrime do ti dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese për abrogimin e vendimit të Qeverisë për mësimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë të klasës së parë. Një aksion i ngjashëm i grumbullimit të nënshkrimeve realizohet edhe në Shkup nga Shoqata “Realiteti”, ndërsa e gjithë kjo, sipas organizatorëve, është në përkrahje të iniciativës së prindërve të shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar si “shprehje e revoltës ndaj imponimit të maqedonishtes”.

Adem-at pranë Ahmetit, Ostreni në T-Mobile

Në prag të Kongresit të dytë, që pritet të mbahet më 20 dhe 21 dhjetor, në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) kanë filluar edhe kalkulimet për reforma kadrovike si brenda kësaj partie ashtu edhe për postet e reja në ekzekutiv. Siç merr vesh “Lajm”, nga burime të besueshme brenda partisë së Ali Ahmetit, dy nënkryetarët, Tetuta Arifi dhe Rafiz Haliti dhe sekretari gjeneral Gëzim Ostreni do të shkarkohen, ndërsa në vend të tyre do të emërohen kuadro që deri më tani nuk kanë pasur poste të larta në këtë parti. Sipas këtyre burimeve, Kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti dhe zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdylaqim Ademi do të emërohen si nënkryetarë të BDI-së, ndërsa Xhevat Ademi do të zëvendësojë Ostrenin në pozicionin, sekretar gjeneral i partisë. Sipas të njëjtit burim Gëzim Ostreni do të emërohet përfaqësues i qeverisë në bordin e T-Mobile, ndërsa dy nënkryetarët aktual, Arifi dhe Haliti nuk do të zënë asnjë vend as brenda partisë së tyre e as në ekzekutiv. Sipas këtyre burimeve, tanimë është i sigurt largimi i Nexhati Jakupit nga Ministria e Ekologjisë dhe në vend të tij do të vijë drejtori aktual i aeroportit, Orhan Ademi, ndërsa në vend të tij, me aeroportin e Shkupit do të udhëheq ish ministri i transportit dhe lidhjeve Xhemali Mehazi. Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi do të kalojë zëvendës sekretar i qeverisë, duke zënë kështu vendin e Abdulla Azirit i cili bashkë me Jakupin rrezikojnë të mbeten pa ndonjë post të ri. Edhe ministri për Punë Sociale, Xhelal Bajrami, pritet të shkarkohen nga ky post, ndërsa Lindita Qazimi do të mbetet edhe më tej në Ministrinë e Arsimit, meqë kjo e fundit tanimë ka dorëzuar postin e deputetit, për ti lëshuar vendin Vullnet Ahmetit i cili nuk u pranua nga Gruevski si zëvendësministër i Arsimit.

Lika i padëshirueshëm për Gruevskin

Pas largimit të Xhevat Buçit nga MPB, postin e njeriut të dytë në këtë ministri pritet ta zë Muhamed Ismaili i cili për momentin është zëvendës drejtor i agjencisë për kundër zbulim, ndërsa në vend të Muhamed Ismailit është propozuar ish kryetari i Komunës së Tetovës, Hazbi Lika. Por, sipas burimeve brenda BDI-së, partneri qeveritar dhe kryeministri Nikolla Gruevski ka kundërshtuar emërimin e Likës në këtë post, për arsye që për momentin është i njoftuar vetëm kryetari Ahmeti. Andaj, brenda partisë shqiptare në Qeveri ka hapësirë për një rokadë mes Ismailit dhe Likës në MPB dhe drejtorinë për kundërzbulim.

/Arben Zeqiri/

Zgjidhja e deponisë, 5 vite mbahet në sirtare

protokoll

Një zgjidhje për deponinë e Tetovës, për gati 5 vite qëndron në sirtaret e institucioneve kompetente, e cila parashihte zgjidhje të përhershme të problemit me mbeturinat në Rajonin e Pollogut. Sipas dokumenteve deri tek të cilat arriti “Lajm”, kompania gjermane Komuna e Tetovës, Gostivarit dhe Banjicës në vitin 2004 kanë nënshkruar një memorandum me kompaninë Gjermane “AEP” e cila mer përsipër ndërtimin e një fabrike riciklimi për mbeturinat e rajonit të Pollogut. Sipas kësaj marrëveshje, të nënshkruar nga kryetari I Komunës së Tetovës, Murtezan Ismaili, ai I Komunës së Gostivarit Xhemail Rexhepi dhe kryetari I Komunës së Banjicës Demir Beqiri me kompaninë gjermane “AEP”, kjo e fundit mer përsipër reciklimin e mbeturinave për 360 mijë banorë, ndërsa kapaciteti do të jetë për 500 mijë banorë dhe nga përpunimi I mbeturinave do të prodhohet 90 mijë ton lëndë djegëse me energji deri 12 mijë kiloxhul. Pas mosrealizimit të këtij projekti, për shkak të zgjedhjeve locale të vitit 2005, një document tjetër flet për një marrëveshje të re në mes tëp o të njejtës kompani dhe kryetarit të kaluar të Komunës së Tetovës, Hazbi Lika. Edhe sipas kësaj marrëveshje fabrika përfshinte rregjionin e Pollogut me komunat urbane dhe rurale të saj. Presidenti I kompanisë “AEP”, Klaus Julian Rash, atëkohë shprehi gadishmërinë e tij me fillimin e realizimit të projektit sapo të marin pëlqimin e kryerëve komunal të të gjitha komunave. “Sa ju përket investimeve, ne mund të fillojmë tani, mirëpo paraprakisht sot duhet ti shqyrtojmë edhe disa pika , apo çështje të kontratës, disa detaje të kontratës. Javën e ardhëshme e ardhëshme do të përfundojnë marrëveshjet dhe detajet e pasqaruara dhe do të fillojmë punën. Ne e financojmë tërësisht projektin këtu në Maqedoni”, deklaroi presidenti I kompanisë gjermane, Klaus Julian Rash, në vitin 2006. Por, pse nuk u realizua benda javës që pritej ky project edhe sot mbetet mistike. Atë kohë, drejtori I kompanisë “AEP” për Maqedoni, Semi Hebibi, në deklaratë për mediat e vendit akuzoi autoritetet lolkale për mito dhe korupcion. Nga kabineti actual I Komunës së Tetovës nuk dhanë asnjë hollësi se cilat janë arsyet e prolongimit të këtij projekti ku nënshkrues ka qenë komuna si institucion. Nga kabineti I kryetarit Sadi Bexheti, thonë se nuk janë në dijeni për marrëveshjen në fjalë, ndërsa një përgjigje të ngjajshme dha edhe drejtori I Ndërmarjes Publike Komunale, Hasan Luma. “Nuk e kam pa atë marrëveshje dhe nuk mundem të flas, më duhet ta shoh se çfarë obligimesh ka marë komuna atëherë dhe ku ka ngecur ky project”, tha për “Lajm”, Hasan Luma.

Nderohet jeta e Profesor Nexhat Abazit

Me rastin e ndarjes nga jeta të profesor dr. Nexhat Abazit, Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT) të martën organizoi mbledhje komemorative kushtuar jetës dhe veprës së tij. Të pranishëm ishin familjarë, miq, intelektualë, studentë dhe stafi akademik i USHT-së të cilët nderuan jetën dhe veprën e studiuesit Abazi, ligjërues në USHT. Rektori doc.dr.Agron Reka, tha se profesor Abazi ishte dhe do të mbetet shembull i punës së palodhshme edukative-arsimore, pedagogjike dhe hulumtuese, i sakrificës për arsimin kombëtar dhe për progresin e përgjithshëm të kësaj pjese të kombit tonë, e cila pa reshtur ka luftuar me pushkë dhe me pendë për pushtimin e dijes dhe të dritës së diturisë. Një fjalim falënderues për të pranishmit në këtë akademi, mbajti edhe e bija e profesorit të ndjerë, Miranda Abazi. Ndryshe, Nexhat Abazi u lind më 22 maj të vitit 1948 në fshatin Kolibar të Kërçovës, ndërsa ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë në Gostivar. Varrimi i i tij u bë më 3 nëntor, në varrezat e qytetit në Gostivar.

Ping – pong institucionesh me nxënësit e “Migjeni”-t

Shkolla periferike “Migjeni” në lagjen Drenoc të Tetovës vazhdon të mbetet mollë sherri për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Komunës së Tetovës. Përderisa udhëheqësit e dy institucioneve në fjalë hedhin fajin tek njëri-tjetri, kjo shkollë vazhdon të qëndrojë edhe më tej e mbyllur, ndërsa nxënësit udhëtojnë me kilometra deri në shkollën qendrore. Sipas udhëheqësit të Sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Iljaz Halimi, MASH ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Seksionit për Arsim të komunës së Tetovës për hapjen e tridhjetë vendeve të reja të punës, që është kuadri i nevojshëm për funksionimin normal të kësaj shkolle periferike.  ”Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të kontribuojë për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike e jo të taktizojë me fatin e nxënësve shqiptarë në komunën e Tetovës”, tha Halimi. Ndërkaq, zëvendës ministrja e MASH-it, Lindita Qazimi, në një deklaratë për “Lajm”, tha se ministria që ajo udhëheq ka përgatitur një informacion për punësime të kuadrove në këtë shkollë dhe e njëjta do ti dërgohet komisionit për financa pranë Qeverisë dhe këto punësim do të realizohen sa më shpejtë që është e mundur. Për vonesën në fjalë, ajo akuzon komunën dhe drejtorinë e shkollës për mos gatishmëri të zgjedhjes së këtij problemi. “Ka një vonesë nga ana e drejtorisë së shkollës të cilët është dashur që me kohë të përpilojnë listat e nxënësve dhe ndarjet e paraleleve që ne të kemi një pasqyrë të saktë për kuadrin që do të duhet të angazhohet”, tha Qazimi. Ajo kërkoi nga komuna e Tetovës dhe drejtoria e shkollës që deri në realizimin e punësimeve të reja, të angazhohet kuadri aktual meqë, sipas Qazimit, numri i orëve në shkollën e re nuk është i plotë dhe ka hapësirë për një gjë të tillë. “Ne do të bëjmë gjithçka që këto punësime të realizohen, mirëpo përkohësisht duhet vullnet dhe gatishmëri e Komunës dhe drejtorisë së shkollës që deri në punësimet e reja të angazhojnë kuadrin aktual i kësaj shkolle, tha Qazimi.

Biblioteka e USHT-së pasurohet me libra shkencorë

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), u promovuan 10 tituj shkencor të përkthyer nga autorë botërorë, të cilët janë pjesë e projektit qeveritar për përkthimin e 500 titujve shkencor universitarë. Rektori i USHT-së, Agron Reka, tha se ëpërmjet këtij projekti të Qeverisë, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe universitetet tjera në vend e kanë pasuruar fondin e tyre të bibliotekave për 4 mijë e 680 tituj të rinj, por edhe e kanë pasuruar fondin e përgjithshëm me vlera të reja kulturore, të cilat janë të pranishme në shoqëritë bashkëkohore në botë, si në Shtetet e Bashkuara Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. “Mbetemi me shpresë që gjatë periudhës së ardhshme të rritet fondi nga veprimtaria botuese, sepse e dimë që janë në interes të së ardhmes për arsimin e lartë dhe të studentëve tanë, si dhe të shoqërisë tonë në përgjithësi, e cila varet nga zhvillimi kulturor, shkencor dhe teknologjik, i cili është produkt qenësor i kulturës dhe shkencës, i dijes dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit ë lartë”, tha rektori Reka. Zëvendës kryeministri Abdylaqim Ademi, tha se këto 10 tituj shkencorë do të jenë ndihmesë shumë e madhe në drejtim të mësimit sa më cilësor. “Ky aktivitet i qeverisë që parasheh përkthimin e 500 librave shkencorë nga autorë të njohur botëror do të vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyrë që sa është e mundur të plotësohen boshllëqet ekzistuese në fushën e botimeve cilësore”, tha Ademi gjatë promovimit. “Tanimë janë përkthyer një numër i konsiderueshëm e librave dhe janë shpërndarë nëpër bibliotekat e fakultete, ndërsa ky proces do të vazhdojë më tutje, derisa të përkthehen të gjitha librat që i ka paraparë projekti i Qeverisë”, premtoi zëvendës ministrja e Arsimit, Lindita Qazimi.

Tetovë, gjithçka ndodh 500 metra larg qendrës së qytetit

Vetëm 500 metër larg qendrës së Tetovës ndodhen stacionet e dy ekstremeve të shoqërisë, aty gërshetohen parku i lodrave të fëmijëve dhe mbeturinat e qytetit dhe po në të njëjtin vend vijnë turistët dhe studentët, të cilët kalojnë në po të njëjtën rrugë që e shfrytëzojnë prostitutat dhe narkomanët. Duke filluar nga stacioni i trenit, i cili nuk është rinovuar asnjëherë dhe është po i njëjti që e ka ndërtuar ish Jugosllavia, afër së cilit ndodhet menjëherë stacioni i autobusëve nëpër të cilët për çdo ditë nisen dhe arrijnë turistë, studentët nga qytetet e tjera dhe vetë qytetarët e Tetovës. Pas stacionit të autobusëve ndodhet qendra sportive e cila përveç sportdashësve shfrytëzohet dhe nga fëmijët dhe familjet gjatë fundjavave. Të tre këto “stacione” janë të rrethuara me tre stacione të tjera të ekstremit të kundërt. Në krahun e djathtë të stacionit të autobusëve, tani e gjashtë muaj ndodhet stacioni i mbeturinave ku janë tubuar mbi 14 mijë tonë mbeturina, era e të cilave tanimë kundërmon deri në qendër të qytetit. Në krahun e majtë, sapo bie nata fillon me punë stacioni i prostitutave dhe narkomanëve të cilët janë të parët që presin turistët dhe studentët që vijnë e shkojnë në Tetovë. Nga policia e Tetovës thonë se janë të njoftuar për prostitucionin dhe shitjen e drogës në atë pjesë të qytetit, por ata e ndjekin situatën dhe gjendjen e sigurisë në qytet në kuadër të sigurisë së përgjithshme. Vetë studentët thonë se për çdo ditë kur arrijnë në Tetovë të parët që i takojnë janë pikërisht prostitutat dhe narkomanët. “Sapo zbresim nga treni ballafaqohemi drejt me prostitutat dhe narkomanët. Nuk më ka ndodhur personalisht të më sulmojnë apo diç të ngjashme por edhe përkundër kësaj kemi frikë”, thotë një student nga Kërçova i cili dy herë në javë shfrytëzon stacionin e trenit për vajtje-ardhje në vendlindjen e tij. Ajo që së fundmi është bërë e padurueshme për studentët dhe qytetarët është edhe deponia e egër e qytetit e cila vazhdon të stërmbushet përderisa autoritetet hedhin fajin njëri-tjetrit. Komuna e Tetovës kërkon zgjidhje nga Ministria e Ekologjisë, dhe për këtë qëllim ditë më parë ata zhvilluan edhe një protestë për të alarmuar qeverinë për krizën ekologjike që ka kapluar qytetin. Nga ana tjetër, këshilltarët shumica e të cilëve është nga radhët e partisë shqiptare në pushtet (BDI), akuzojnë kryetarin e komunës për keq menaxhim dhe i drejtojnë gishtin si fajtori kryesor për deponinë. “Për të realizuar këtë veprimtari, ligji i jep ingerenca shumë të gjëra kryetarit te komunës si p. sh. lidhjen e kontratave me subjekte të ndryshme, bashkëpunim mes komunave, bashkëpunime rajonale, bile edhe mundësi për partneritet me subjekte brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në reagimin e këshilltarëve shumicë të Komunës së Tetovës. Dhe përderisa autoritetet hedhin fajin njëri tjetrit, qytetarët dhe studentët në Tetovë janë ata të cilët vazhdojnë të ballafaqohen thuajse për çdo ditë me gjashtë stacionet në një vend. “Era është bërë e padurueshme, detyrohemi që menjëherë sapo arrijmë të marrim taksi për të ikur më shpejtë nga era, kemi frikë edhe nga disa persona që gjatë orëve të natës sillen rreth stacionit”, thotë Saranda L, një studente tjetër e cila për çdo javë frekuenton stacionin e trenit.

« Older entries

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.